Romakëve 7

Krahasimi me martesën

1O vëllezër, si njerëz që e njihni mirë ligjin e Moisiut, a nuk e dini se ky ligj sundon mbi njeriun për sa kohë ai jeton? 2Kështu, me këtë ligj gruaja e martuar është e lidhur me burrin për sa kohë që ky jeton; por nëse burri vdes, ligji i jep asaj lirinë nga burri. 3Por, nëse ajo bëhet gruaja e një burri tjetër kur e ka burrin ende gjallë, ajo do të quhet grua që ka bërë tradhti bashkëshortore. Nëse burri i saj vdes, ajo është e lirë nga ligji i Moisiut dhe po të martohet me një burrë tjetër, ajo nuk bën tradhti bashkëshortore.

4Në të njëjtën mënyrë, o vëllezërit e mi, edhe ju keni vdekur për sa i përket ligjit të Moisiut, meqenëse jeni bashkuar me trupin e Krishtit. Kështu, ju i përkisni një tjetri, atij që është ngjallur prej të vdekurve, me qëllim që të japim fryte për Perëndinë. 5Kur ne jetonim sipas natyrës sonë, dëshirat mëkatare, të nxitura përmes ligjit të Moisiut, vepronin në gjymtyrët tona dhe ne jepnim fryte që të çojnë në vdekje. 6Por tani jemi të lirë për sa i përket ligjit të Moisiut, sepse kemi vdekur ndaj atij që na mbante lidhur. Kështu, i shërbejmë Perëndisë jo sipas mënyrës së vjetër nën germën e ligjit të Moisiut, por sipas një jete të re në Shpirtin e Shenjtë.

Mëkati brenda nesh

7Ç’të themi, pra? A është ligji i Moisiut mëkat? Larg qoftë! Mirëpo nëse nuk do të ishte ky ligj, unë nuk do ta kisha njohur mëkatin. Unë nuk do ta kisha njohur lakminë nëse ligji i Moisiut nuk do të thoshte: Mos lakmo! 8Por duke marrë shkas prej urdhërimit, mëkati bëri që të lindin brenda meje gjithfarë lakmish. Pa ligj, mëkati është i vdekur. 9Dikur unë jetoja pa ligjin e Moisiut, po kur u dha urdhërimi i këtij ligji, mëkati mori jetë 10dhe unë vdiqa. Kështu urdhërimi që duhej të më çonte në jetë më çoi drejt vdekjes. 11Sepse mëkati, duke marrë shkas prej urdhërimit, më mashtroi dhe përmes tij më vrau. 12Mirëpo ligji i Moisiut është i shenjtë dhe urdhërimi është i shenjtë, i drejtë dhe i mirë.

13Mos vallë e mira u bë shkak për vdekjen time? Larg qoftë! Vdekjen ma solli mëkati duke përdorur të mirën. Kështu, mëkati e tregoi qartë natyrën e tij të vërtetë dhe përmes urdhërimit u bë mëkat edhe më i rëndë. 14Ne e dimë se ligji i Moisiut është shpirtëror. Ndërsa unë kam natyrë njerëzore dhe jam i shitur si skllav te mëkati. 15Nuk di çfarë bëj, sepse nuk bëj atë që dua, por bëj atë që urrej. 16Nëse bëj atë që nuk dua, atëherë pranoj se ligji është i mirë. 17Tani nuk jam më unë që veproj kështu, por mëkati që banon brenda meje.

18Unë e di se e mira nuk banon brenda meje, domethënë në natyrën time. Unë dua të bëj të mirën, por nuk mundem. 19Sepse nuk bëj të mirën që dua, por bëj të keqen që nuk dua. 20Por nëse bëj atë që nuk dua, nuk veproj më unë, por mëkati që banon në mua.

21Kështu kam zbuluar parimin sipas të cilit sa herë që dua të bëj të mirën, brenda meje gjej vetëm aftësinë për të bërë të keqen. 22Në të vërtetë, thellë brenda meje unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë, 23por shoh në gjymtyrët e mia një ligj tjetër, që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe më bën rob të ligjit të mëkatit, që gjendet në gjymtyrët e mia. 24Sa njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup që po më tërheq drejt vdekjes? 25I qofshim falë Perëndisë përmes Jezu Krishtit, Zotit tonë.

Kështu pra, me mendje i shërbej ligjit të Perëndisë, por me trup i shërbej ligjit të mëkatit.